Nagip Krasniqit, shefit të pezulluar të KEK-ut dhe aktivistit të Vetëvendosjes, i është vazhduar paraburgimi edhe për hiç më pak se dy muaj.
Krasniqi po dyshohet për korrupsion në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Lajmi është konfirmuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për Betimin Për Drejtësinë.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.K, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.” – shkruan në këtë përgjigje.
Krasniqi ishte arrestuar tre muaj më parë nga ana e Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës.
Ai dyshohet për vepra të rënda penale si “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “ushtrim ndikimi” dhe “konflikt interesi”.
Për këtë çështje ka raportuar gjerësisht gazeta Nacionale.