Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili e ka kritikuar Qeverinë Kurti për Ligjin për Pagën Minimale.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka thënë se qeveritë e kaluara për 12 vite nuk e kanë rritur pagën minimale.
“Deputeti Hoti i paska renditur katër probleme me Ligjin për Pagën Minimale. Në fakt problemin kryesor me ligjin që e kanë është se ata nuk kanë mundur ta rrisin pagën minimale qe 12 vjet, e ne po e bëjmë për vetëm 2 vjet”, ka shkruar Pacolli.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar për katër problemet e pagës minimale, që u miratua javën e kaluar në Kuvend. Problemi i parë, Hoti thotë se është se nuk është përfillur procedura ligjore për caktimin e pagës minimale, problemi i dytë është se nuk është përfillur formula për caktimin e pagës minimale, që bazohet në koston e jetesës, problmi i tretë është fakti se janë shkelur dy konventa të Organizatës Botërore të Punës, si dhe problemi i katërt sipas Hotit është se niveli i pagës minimale është caktuar para inflacionit që ka goditur vendin.