Në vazhdën e kontrolleve për përmbushje tatimore, Administrata Tatimore e Kosovës bënë të ditur se javën e kaluar ka inspektuar klubet e natës dhe restoranteve në qytete të ndryshme të vendit.
Sipas ATK-së, këto kontrolle janë iniciuar me qëllim të monitorimit dhe verifikimit të zbatimit të ligjeve dhe rregullave tatimore, kur kemi parasysh se tek këta sektorë në sezonin e verës kemi shumëfishim të aktivitetit. Në fokus të inspektimeve kanë qenë disa aspekte kyçe, si:
arkat fiskale, inspektorët kanë verifikuar nëse klubet e natës dhe restorantet kanë përdorur arkën fiskale, ku kanë kërkuar nga pronarët që të gjitha transaksionet e tyre financiare të regjistrohen me korrektësi. Si rezultat janë konfiskuar 4 printer jo-fiskal;
punëtorët e pa deklaruar, në përpjekje për të luftuar ekonominë informale dhe garantuar të drejtat e punonjësve, inspektorët kanë kontrolluar vërtetësinë e punës dhe deklarimin e punonjësve të klubeve të natës dhe restoranteve, me ç’ rast janë gjetur duke punuar 63 punëtor të pa deklaruar;
Veç këtyre, kontrollet gjithashtu kanë adresuar çështje tatimore të tjera, si përmbushja e detyrimeve të tatimit mbi fitimin dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për furnizime të ndryshme dhe shërbime. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjithsejtë janë 209 gjoba në vlerë 48,875 euro.
Nga Administrata Tatimore thonë se i inkurajojnë bizneset e këtyre sektorëve të respektojnë ligjet tatimor dhe të bashkëpunojnë për të shmangur shkeljet dhe për të kontribuar në zhvillimin e një ambienti të drejtë dhe konkurrues.
Autoriteti tatimorë po punon për të forcuar mbikëqyrjen tatimore dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve tatimore.
Kjo nismë është thelbësore në ruajtjen e integritetit të sistemit tatimor dhe në sigurimin e të ardhurave të nevojshme për investimet në shërbime publike dhe zhvillimin e vendit, thuhet në njoftimin e ATK-së.