Mosmarrëveshjet e momentit mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.
Një përleshje ka ndodhur edhe dje në rrugën ‘Adem Jashari’ në Gjilan, ku disa persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një 43-vjeçar.
Sinjali mëson se viktima është dërguar me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve të marra, teksa në vendngjarje kanë dalë njësitë policore.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë, teksa nuk është arritur që të gjendet mjeti i punës [kaçavida], e cila dyshohet se u përdor gjatë sulmit ndaj viktimës.
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.