Tashmë zgjerimi i hyrjes Gjilan-Bujanoc, me trotuarë të përshtatshëm e ndriçim publik, e sidomos në sezonin e verës gjatë mbrëmjeve më të freskëta, qindra prindër me fëmijë, tinejxherë, çifte e persona që me rekomandim të mjekut dalin e ecin.
Trotuarët mbushen plot dhe ta ka ëndja t’i shohësh, por neglizhenca komunale e Gjilanit, vazhdon për disa vjet me radhë, përfshirë qeverisjen e re lokale, duke mos e rregulluar trotuarin para pompës së benzinës, tek ish-Ina, ana e kundërt e kazermës së FSK-së, ku një gropë e gjerë rrezikon lëndimin e shumë kalimtarëve.
Bash te kjo pengesë e kalimtarëve, është me pak ndriçim dhe nga turma e madhe as mund të shihet. Kjo kërkon ndërhyrje urgjente dhe çuditërisht për disa vjet lihet në gjendje të tillë si në fotografinë e shkrepur nga unë, brenda këtij teksti. Edhe shumica e gropave në rrugën për Cërnicë kah Livoçi, për shumë vjet, janë pa kapakë dhe rrezikojnë shoferët e këmbësorët. Të tilla pengesa në rrugë e trotuarë lihen ashtu për disa vjet.
Kjo mungesë empatie, mungesë mirëmbajtjeje, është e papranueshme dhe e dënueshme. I bëj apel Komunës, veçanërisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike, t’i sanojë me urgjencë. Na mbyti edhe kjo indiferencë qytetare që është në rritje e sipër për çështjet publike. Shkoni e shihni këtë gropë pak metra mbi përmendoren e Abdullah Tahirit dhe do të bindeni!
Shkruan: Avni Rudaku