Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, tash e 55 ditë është i ngujuar në ndërtesën e komunës.
Gjithçka nisi pas protestave në tri komunat veriore me shumicë serbe pasi kryetarët shqiptarë të zgjedhur ishin futur nëpër ndërtesat ku duhej të shërbenin nën shoqërimin e policisë.
Në atë të diele, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një mbledhje. Aty besohet të ishte vendosur që Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit, duhej ta bënte një sakrificë të madhe: jo vetëm që do të futej brenda ndërtesës, por edhe do të ngujohej në të.
Dhe, ashtu ndodhi. Hetemi u fut brenda ndërtesës dhe bashkë me të besohet se ishte deputeti Salih Zyba, që qëndroi dy-tri ditë.
Një tallje të rëndë drejtuar Lulzim Hetemit e kishte bërë kryeministri Edi Rama duke e krahasuar përbuzshëm me heroin kombëtar Oso Kukën.
Ai e kishte përmendur Oso Kukën në dhjetëra raste duke e treguar atë që sipas tij është politikë absurde e Kosovës që po e prish me botën perëndimore.
Kryeministri Kurti në anën tjetër ka pasur krejtësisht fjalë të tjera duke e lavdëruar Hetemin për “qëndresën e tij”, raporton Nacionale.