Varg e Vi tashmë ka realizuar disa audiodokumentarë për trashëgiminë kulturore dhe historike. Më 24 korrik, Varg e Vi shfaqi audiodokumentarin më të ri “Kulina”, me autor Avni Rudakun e narrator Avni Shkodrën, në studion e RadioStar-it nga Gjilani, për historikun, gjetjet më të fundit arkeologjike dhe me intervistat me respodentë të ndryshëm mbi Kalanë e Kamenicës.
Migjen Fazliu – Drejtor i Varg e Vi-së, duke e hapur aktivitetin me ecjen e pjesëmarrësve me kufje wireless dhe gjatë ngjitjes në kala për ta dëgjuar audiodokumentarin “Kulina”, falënderoi Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, që mbështeti këtë projekt, dhe më pas, deklaroi: “Le të jetë ky një moment për të mos e lënë në harresë Kulinën dhe për të investuar më shumë që ta bëjmë Kalanë e Kamenicës një vend atraksioni turistik.”
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Kamenicë, Rinë Matoshi-Huruglica, iu gëzua projektit të realizuar të Varg e Vi-së, duke treguar edhe për sfidat e mirëmbajtjes së Kulinës, punët e ngadalshme të Institutit të Arkeologjisë dhe nevojën për investime të reja në Kulinë.
I pranishëm ishte edhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport nga Komuna e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, i cili shprehu vlerësimin e lartë për projektin që ishte shkas edhe për dalje në natyrë nga punët e përditshme administrative në zyre dhe tregoi disa nga idetë që janë në shqyrtim edhe për Kalanë e Pogragjës në Gjilan.
Gjatë dëgjimit të audiodokumentarit, audienca kishte rastin gjatë ngjitjes në kala për t’i parë disa nga instalacionet artistike të Kulinës nga Din Azizi, ku njëra kishte fotografinë e famshme të pllakës së gjetur afër kodrës së Kulinës me funeralin e famshëm, instalacionet si: “560m”, “Vitet e ’70-ta të shek. XX”, “1198/2015” dhe “Antikiteti i vonë”, të ndërlidhura të gjitha me Kalanë e Kamenicës.
Në hyrje të Kulinës pasi u ngjitën pjesëmarrësit, u shtrua një koktell rasti me ushqime të ndryshme dhe u bë një diskutim i lirë për audiodokumentarin, duke kontribuar në mënyrë të posaçme profesori i artit dhe i pasionuari për Kulinën, Shaban Berisha, por edhe shumë pjesëmarrës të tjerë.
Projekti “Kulina” është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Kamenicës, pas rezultimit me sukses të Varg e Vi-së në thirrjen e hapur publike për projekte kulturore për të gjitha OJQ-të.