Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për mbylljen e Klan Kosovës.
Në një postim në Twitter, ai ka thënë se “minimi i lirisë së shtypit në Kosovë do të ishte një gabim i madh”.
“Shpresoj se Qeveria e Kosovës do të rishqyrtojë lëvizjen e saj për Klan Kosovën”, ka thënë Delawie, duke shpërndarë reagimin e shteteve të QUINT-it dhe të BE-së në lidhje me Klan Kosovën, të cilat u shprehën tejet të shqetësuara me këtë vendim të qeverisë.
Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.
Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.
Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova.
Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Më 21 qershor, ARBK-ja e kishte shfuqizuar përkohësisht vendimin e 14 qershorit për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit privat, para se ta kthente në fuqi atë menjëherë më 22 qershor.