Shkruan: Avni Rudaku
1. Dëshira për famë në mediet sociale, duke u bërë lajm nga “kompleksi i famëkeqit”, i njohur në psikologji, ku për të arritur vëmendje, bëjnë edhe gjëra të këqija, vetëm për t’u bërë të famshëm. Shembull nga letërsia është Kinkakuxhi i Jukio Mishimës, kur murgu i ri budist dogji tempullin e famshëm në Kioto të Japonisë.
2. Lakmia për jetë luksoze si këngëtarët, çon në xhelozi, mllef e zemërim të pavetëdijshëm.
3. Pabarazia sociale në profesione. Punon çkado, por nuk arrin luksin si futbollistët e këngëtarët. Para, jetë të natës, jahte, femra, seks, garderobë firmato, orë Rolex, unaza diamanti, veturat më të shtrenjta.
4. Irritimi nga mbisundimi i pranisë së yjeve të muzikës e sportit në mediet sociale, duke lënë të gjithë të tjerët në margjina.
5. Dëshira për afrim me yjet në një mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë, ngase yjet kanë autoritarimin e tyre social e kulturor, të prekin e puthin këdo.
6. Fansi në një mënyrë është skllavi e idolët janë skllavopronarët.
7. Fansi i zjarrtë ka komplekse inferioriteti. Sado me dashtë unë një shkrimtar, filozof, këngëtar, sportist etj., kam vetërespekt, vetëbesim, vetëvlerësim. Nuk ia jap shpirtin tim me qira askujt. Nuk e çoj në qiell askë. Është njeri. Ka famë e talent, ani çka: edhe unë kam talent për diçka tjetër! Po të kesh pak dinjitet, integritet, identitet, nuk çmendesh si i marrë para idolit, as të bërtasësh e as të shtyhesh ta kesh një foto me të.
8. Mungesa e leximit dhe intelektualizimit tënd çon në idolatri të shpejtë veç te këngëtarët e futbollistët. Ku është kontributi i tyre më i lartë se i një inxhinieri të impiantit që ia rregullon jetën një planeti, shteti, komune e komuniteti?! A është normale zjarrmia e çmendur pas një këngëtari në vend të idolatrisë ndaj shpikësit të makinës së larjes së rrobave apo enëlarëses?! Qysh me pasë ma shumë klikime një këngëtar sesa Ajnshtajni?!
9. Si politikanët, edhe yjet e muzikës, janë me shumë roje me muskuj në skenë, ku prania e tyre nxit edhe agresivitet, sepse njerëzve u shkon mendja në binomin siguri/pasiguri, agresivitet, “zhvilla me biceps e triceps”.
10. Këngëtarët shpesh me dukjen e tyre, seksipilitetin e tyre, nxisin edhe epsh, përfshirë binomin seks/testosteron, e testosteroni ndërlidhet edhe me agresivitet.
11. Ka edhe arsye të tjera, kur fansi mund të ketë probleme psikologjike dhe e shpreh mllefin në këngëtarë.
12. Sjellja e mësuar sociale, ku bëhet një fenomen viral nga niveli global në atë lokal, siç kanë ndodhur sulmet ndaj këngëtarëve jashtë vendit dhe tash edhe në Kosovë.
13. Ka edhe arsye të tjera, por këto 12 më lart janë dominuese.