Reagime të shumta pas lajmit për mos-blerje e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Nazim Gagica, kryetar i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dea në Gjilan ka thënë se shpërndarja e librave falas dhe në kohë për nxënësit, si obligim institucional dhe standard i krijuar ndër vite në Republikën e Kosovës, jo vetëm që ndikon drejtpërdrejtë në nxënje por edhe krijon lehtësi për prindërit në kohën kur ata përballen me rritje të shpenzimeve sidomos në stinën e vjeshtës.
“Institucioneve të vonuara nuk u mjaftuan muaj të tërë për të siguruar libra për fillim të mbarë të vitit shkollor, ndërsa sot kur jemi vetëm dhjetë ditë para fillimit të vitit, ata dalin e njoftojnë se nuk munden të sigurojnë libra, duke e deleguar fajin si zakonisht sa herë dështojnë ne realizimin e projekteve”, ka thënë Gagica, i cili dikur edhe drejtonte Drejtorinë Komunale për Arsim në Gjilan.
“Sot, nuk bëhet fjalë vetëm për dështim, por për shkatërrim thuajse të gjithçkaje që është ndërtuar me mund e për shumë vjet”, ka thënë ai.
Përndryshe, Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) po e shqyrton mundësinë që këtë vit librat për nxënësit t’i blejnë vetë prindërit, ndërsa mjetet për librat ministra t’ua transferojë nëpër llogari prindërve. Kështu deklaroi të hënën në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.