PDK mban mbledhjen e Kryesisë: Regres i madh politik dhe ekonomik, zgjedhje të parakohshme sa më parë
Prishtinë, 25 gusht – Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së Partisë, në të cilën u diskutua për aktualitetin politik në vend, përfshirë skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë.
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja në Kosovë, për shtetin dhe qytetarët, është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.
Përfshirja e këtij pushteti në afera të ndryshme, prej atyre me energjinë, rezervat shtetërore, tekstet shkollore, trafikimin e substancave narkotike, keqmenaxhimin e institucioneve të ndryshme dhe keqpërdorimet e shumta të detyrave zyrtare – shpërfaqin karakterin e vërtetë të kësaj Qeverie.
PDK shpreh shqetësimin e madh që si pasojë e kësaj qeverisjeje, mbi 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit, është rritur kosto e jetesës dhe çdo ditë po rritet numri i familjeve kosovare që po shkojnë drejt pragut të varfërisë. Për më shumë, është dëmtuar mirëqenia e qytetarëve dhe progresi i shtetit, ku si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, janë dëmtuar aleancat strategjike të shtetit dhe Kosova ka humbur një sërë fondesh të mëdha ndërkombëtare.
Pikërisht, nisur nga ky realitet i hidhur politik dhe ekonomik në vend, Këshilli Drejtues i PDK-së, në mbledhjen e mbajtur më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Në këtë kontekst, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, si rezultat i mosrespektimit të këtij vendimi nga disa anëtarë të saj nga Dega në Gjilan, në mbledhjen e sotme ka vendosur që të përjashtojë nga të gjitha strukturat e saj, tre anëtarë: Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin.
Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë.
Gjatë këtij takimi u vlerësua shumë edhe organizimi i suksesshëm i “Muajit të Rinisë” nga Rinia Demokratike e Kosovës, ku, përgjatë tërë muajit gusht janë në proces të realizimit 24 aktivitete nga më të ndryshmet, në shumicën e komunave të Kosovës. Të rinj e të reja të shumtë i janë bashkuar Rinisë Demokratike, duke shfaqur talentin e tyre, por edhe përkushtimin e vendosur që të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për ta.
Partia Demokratike e Kosovës, përmes të gjitha organeve dhe zyrtarëve të saj, mbetet e angazhuar që të mbrojë interesin e shtetit dhe të qytetarëve. Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme. Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik.