Qytetarët do të duhet të paguajnë për qeset plastike me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e ambalazhit.
Kështu ka bërë te ditur ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për medie me shefen e bashkëpunimit në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, Vera Baumann.
Ministri Aliu ka thënë se qeset e holla të plastikës nga zero deri në 25 mikron do të ndalohen tërësisht, ndërsa ato deri në 50 mikron do të kushtojnë 5 centë.
“Ky udhëzim administrativ do të ketë ndikim tek ambienti, duke eliminuar qeset e plastikës dhe shishet e plastikës më pastaj si dhe trajtimin e ambalazhit nga shishet. Qeset e holla të plastikës do ndalohen. Qeset nga 25 deri 50 mikron do të lejohen për përdorim dhe do të kushtojnë 5 centë. Megjithatë nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesit”, ka shtuar ai.
Ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, megjithëse një gjë e tillë sipas tij do të marrë kohë.
“Ne jemi të vendosur në këtë çështje”, tha Aliu.