Ministria e Arsimit bën të ditur se do të ofrojë asistencë fizike nëpër komuna për ata të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë në eKosova për mbështetje për tekstet shkollore.
Sipas njoftimit, deri tani nuk ka pasur asnjë raportim se ndonjë shkollë në Kosovë nuk është duke mbajtur mësim për shkak të mungesës së librave.
“Sidoqoftë, për ta lehtësuar edhe më shumë këtë proces të aplikimit për pjesën e mbetur të atyre që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të aplikojnë, do të ofrojmë edhe asistencë fizike nëpër komuna. Lokacionet për secilën komunë do t’i bëjmë publike bashkë me institucionet tjera mbështetëse. Për informimin tuaj, procesi i furnizimit me tekste shkollore me këtë praktikë është shumë më i shpejtë sesa me praktikat e aplikuara në vitet e mëhershme”, bëhet e ditur në njoftim.
Teksa theksohet se deri sot kanë pranuar 178 mijë e 580 aplikime në eKoosova për mbështetje për materiale shkollore.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton se deri sot nga platforma eKosova kemi pranuar 178,580 aplikime nga të cilat, 105,404 aplikime nga klasat I-V për tekste dhe materiale shkollore dhe 73,176 aplikime nga klasat 6-9, të cilët tashmë i kanë tekstet shkollore dhe kanë aplikuar për mbështetje për materiale shkollore. Platforma do të jetë e hapur për aplikim deri në fund të muajit shtator. Nga Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Inspektorati i Arsimit nuk është raportuar për asnjë shkollë në Republikën e Kosovës që nuk është duke e mbajtur procesin mësimor për shkak të mungesës së teksteve. Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore”, thuhet në njoftim.