Komuna e Gjilanit, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me shkollën e mesme të agrobiznesit dhe teknologjisë “Sahit Baftiu”, për herë të tretë kanë shpërndarë gjedhe për fermerët, përkatësisht katër krerë gjedhe në formë të subvencionimit.
“Ne si Drejtori, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, jemi të përkushtuar që fermerëve tanë t’iu krijojmë kushte sa më të favorshme për mbarëvajtjen dhe kultivimin e gjedheve të racës Simental, një racë e cila ka potencial të lartë të qumështit dhe mishit”, ka thënë me këtë rast drejtori për Bujqësi në Gjilan, Bajram Isufi.
Ai ka falënderuar menaxhmentin e shkollës për bashkëpunimin konstruktiv dhe për kultivimin e kësaj race, duke uruar të gjithë fermerët përfitues dhe duke mbetur me shpresë që këto gjedhe të ruhen e kultivohen në mënyrë që kjo racë të mbarështohet që të përdoret për rritjen e mirëqenies së familjeve tona.
Isufi ka bërë të ditur, gjithashtu, se së shpejti, Komuna e Gjilanit do të bëjë shpërndarjen edhe të 120 krerëve lopë të racës simental për fermerët tanë, në mënyrë që kjo racë të jetë racë e cila kultivohet e trajtohet në mënyrë sa më racionale nga fermerët e Gjilanit.