Nga pjesa e parë e muajit gusht kur është mbajtur një takim me diasporën, e në të cilin menaxheri i Divizionit për Shërbime me Konsumatorë, Granit Sylejmani, e zëdhënësja e KRU Hidromorava, Rina Ahmeti – Kasumi, kanë njoftuan lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm në rajon, kanë kaluar mbi një muaj.
Nga ajo periudhë deri më tani në KRU Hidromorava është vërejtur një mobilizim i theksuar, fillimisht përmes një njoftimi publik lidhur me detyrimet financiare të konsumatorëve, e më pas është theksuar mundësia e shkyqjes së tyre nga rrjeti i ujësjellësit.
Paralelisht me apelin ndaj tyre, për konsumatorët dhe ekonomitë familjare me gjendje të rënuduar KRU Hidromorava ka paralajmëruar lehtësira të pagesave të faturave të tyre.
Më tej, në një tjetër sqarim publik është njoftuar për shtim të intensitetit në terren që lidhen me nismën për mbledhjen e borxheve, duke marrë masa njëkohësisht ndaj kyçjeve ilegale në rrjet, të cilat kyqje – siç është thënë – shkaktojnë dëme të mëdha pasi ndikojnë tek pjesa tjetër e qytetarëve, të cilëve u faturohet sasia e shpenzuar e ujit pa të drejtë, si pasojë e humbjeve enorme të ujit të paregjistruar, rrejdhimisht edhe të pafaturuar.
Ndaj, për këtë shkak, më 30 gusht ka vazhduar inspektimiv i kyçjeve ilegale dhe borxheve të indentifikimit, ndërsa po atë ditë ekipet teknike të KRU Hidromorava kanë qenë mjaft të mobilizuara në mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Muharrem Fejza”, sikurse edhe kyqjeve ilegale në Kufcë të Epërme.
Ndërsa një ditë më pas, më 31 gusht, është evituar rrjedhja në rrugët “Vëllezërit Frashëri”, “Adem Jashari”, “Arben Ramadani” dhe “Mehmet Akif Behluli”.
Po atë ditë është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve të KRU “Hidromorava”, ku është raportuar me theks të veçantë për Zbatimin e Planit të Veprimit – UPF-në dhe Inkasimin e Borxheve; si dhe është bërë analiza e performancës aktuale. Ndërsa më tej është vlerësuar progres nga projektet ndërmarrura nga Kompania, veçmas në ndikimin e tyre në infrastrukturën e ujësjellësit dhe ndërmarrjen e veprimeve për ruajtjen e burimeve të ujit, si dhe është theksuar përmirësimi i shërbimit ndaj konsumatorëve, duke u fokusuar në ndërmarrjen e masave për të siguruar për një shërbim të përsosur dhe të plotë.
Në atë takim kryeshefi Ymer Salihu ka nënvizuar qëllimin e bashkëpunimit dhe angazhimit të menaxhmentit dhe BORD-it, i cili sipas tij është në funksion të një kompanie të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv në shoqëri.
Java e parë e muajit shtator e ka gjetur poashtu kompaninë të mobilizuar, pasi pikërisht më 4 shtator ekipet kanë evituar rrjedhjet nga rrjeti i ujësjellësit në fshatin Përlepnicë e Velekincë, ndërsa më 05 shtator, puntorët teknik të KRU Hidromorava, kanë vijuar me inspektime të rregullta dhe veprime të menjëhershme për të identifikuar dhe korrigjuar problemet, duke siguruar që uji të shkojë nëpër shtëpi me cilësi dhe siguri.
“Sot, gjatë orëve të mëngjesit punëtorët teknik evitun rrjedhjen nga rrjeti i ujësjellësit në rr. “Bajram Llovca”, thuhej në një njoftim të KRU Hidromorava në faqen e saj, ku përkufizohet puna e saj si detyrë imanente dhe e përkushtuar ndaj mirëqenies së të ardhmes së mjedisit.
Një ditë më pas, më 06 shtator, KRU”Hidromorava” ka njoftuar për vazhdimin e itensitetit të punës në terren, për të identifikuar konsumatorët të cilët janë të lidhur ilegalisht në rrjetin e ujësjellësit! – Me atë rast është thënë se inspektorët e kompanisë kanë identifikuar disa kyçje ilegale ndaj të cilëve janë marrë masa, duke i shkyçur nga rrjeti dhe duke vazhduar me procedura ligjore.
Ndërsa më 07 shtator, Kompania ka dërguar vërejtje përmes të cilave konsumatorëve që kanë borxhe u janë bërë të ditura afatet e shlyrjes së tyre, para se të vendoset për hapat e mëtejmë, me masa më ekstreme, përfshirë inicimin e procedurave përmbarimore!
Më tej menaxheri i Divizionit për Shërbime me Konsumatorë, Granit Sylejmani, së bashku me zëdhënësen e kompanisë, Rina Ahmeti – Kasumi, kanë pritur në takim drejtoreshën e organizatës Qendra Rinore, znj. Luljeta Ismajli, dhe koordinatoren e projektit, znj. Muhabere Kadriu, me të cilët kanë biseduar për bashkëpunim të ndërsjellë të realizimit të projekteve që lidhen me ruajtjen e ujit dhe mjedisit, përmes fushatave vetëdijësuese.
Një ditë më pas, më 08 shtator, është njoftuar për intervenime në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Naser Azemi”, pastaj në rr. “Zija Shemsiu”, si dhe “Mulla Idrizi” e “Xheladin Kurbaliu”.
KRU Hidromorava aktivitetin e saj shtrinë edhe në disa komuna të Anamoravës, njëra nga të cilat është ajo e Kamenicës. Më 08 shtator është njoftuar për kontratën e projektit në vlerë 449,000€, i cili është realizuar falë mbështetjes së Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Kamenicës, ku Kryeshefi Ekzekutiv i KRU Hidromorava, Ymer Salihu, së bashku me Shefin e Kabinetit të Kryetarit të Kamenicës, Vaxhid Rexhepaj, dhe Menaxherin e Projektit, Sherif Thaqi, kanë organizuar një inspektim të punimeve në projektin e Kyqjeve Individuale të Ujësjellësit në Fshatin Hodonoc të kësaj komune.
Sipas njoftimit, objektivi kryesor i atij inspektimi ka qenë që të sigurojnë që punimet në projekt të përmbushen me specifikimet teknike, afatet e parapara kohore dhe standardet e cilësisë të përcaktuara në kontratë. Pas inspektimit, Kryeshefi Ekzekutiv, Ymer Salihu, së bashku me kolegët e tij, kanë konstatuar se punimet janë në vazhdim e sipër dhe po zhvillohen në përputhje me afatin e përcaktuar.
“Në bazë të vlerësimit tonë të përgjithshëm, ne vlerësojmë që projektin e Kyqjeve Individuale të Ujësjellësit në Fshatin Hodonoc të Kamenicës po menaxhohet me sukses dhe po përmbush të gjitha standardet e kërkuara. Ndërhyrjet e nevojshme janë identifikuar dhe do të ndërmerren menjëherë për të siguruar vazhdimësinë e rrjedhës së punëve në përputhje me afatin e përcaktuar,” ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv Ymer Salihu, shkruan faqja zyrtare e Kompanisë.
Ndërkaq, Shefi i Kabinetit të Kryetarit, Vaxhid Rexhepaj, ka falënderuar Kryeshefin Ekzekutiv, Ymer Salihu, dhe Menaxherin e Projektit, Sherif Thaqi, për bashkëpunimin dhe për zellin që kanë treguar në menaxhimin e këtij projekti, duke u dakorduar njëherit për vazhdim të monitorimit të punimeve për të siguruar që projekti të përfundoj me sukses.