Menaxheri i kombëtares së Kosovës, Bajram Shala e ka kritikuar FSHF-në në një prononcim për Top News.
Shala ka thënë se Daku e Muja u joshën prapa shpinës dhe në një rast të njëjt FFK nuk e ka bërë të njëjtët gjë me futbollistët shqiptarë.
“Kemi pakënaqësi të brendshme dhe duhet të kemi, sepse është stërtepruar. Ne i kemi kuptuar kur FSHF-ja i është ofruar lojtarëve me prejardhje nga Kosova dhe iu ka ofruar shansin të luajnë për Shqipërinë, por të merren futbollistë që kanë luajtur për Kosovën në miqësore, kjo është përtej reprocitetit dhe bashkëpunimit të dy federatave. Kjo është përtej frymës sportive. Dy futbollistët e fundit (Mirlind Daku dhe Arbnor Muja) ishin pjesë të ekipit tonë kombëtarë edhe në grupmosha, ndërsa Shqipëria i afroi duke punuar prapa shpinës sonë dhe joshur ata”.
“Kemi pasur disa raste kur futbollistë nga Shqipëria kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e Kosovës në momente të ndryshme të karrierës së tyre, por për shkak respekti ose të themi fair-play me Federatën Shqiptare ne nuk i kemi afruar ata futbollistë. Ata na janë vetë-ofruar por s’dua t’ua përmend emrat që t’i vendos në ndonjë pozitë të palakmueshme dhe të gjykohen në Shqipëri. Kemi pritur një trajtim të njëjtë, por nuk ka ndodhur” ka thënë Bajram Shala./Indeksonline/