Policia e Kosovës njofton se janë ndaluar në paraburgim 48 orë dy prej të dyshuarave në rastin e keqtrajtimit të 3-vjeçarit në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë.
Sipas njoftimit, të dyshuarat janë N.M., 64-vjeçare si dhe N.H., 56-vjeçare, shkruan Reporteri.net.
Ato janë ndaluar nën dyshimet për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave; N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Një ditë më herët, familjarë të 3-vjeçarit, publikuan në rrjetet sociale, incizime nga kamerat e sigurisë në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ku thanë se shfaqen edukatoret duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës.
Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, tha për mediat se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast do të pezullohen nga puna pasi të përfundojnë intervistimin në polici.