Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se Kryeministri Kurti po jep kritika ndaj një emisari i cili ka eksperiencë dhe përvojë të madhe në diplomaci, siç është Mirosllav Lajçak.
Sipas Hazirit, Lajçak është ndërmjetës me pëlqim të Bashkimit Evropian por që mbështetet plotësisht edhe nga ShBA-ja, shkruan Reporteri.net.
“Në asnjë rrethanë, delegacioni i Kosovës në krye me Kurtin nuk ka arritë me imponu pozicion të Kosovës. Kritika karshi z. Lajçak, i cili vjen si emër në këto bisedime nga përvoja e tij në Ballkan, nga përvoja e tij në diplomaci dhe mënyra se si është zgjedh është tregues i qartë; z. Lajçak vjen si propozim i BE-së po me pëlqimin e plotë të amerikanëve”, ka theksuar Haziri në Kanal 10.
Tutje, sipas tij, Kurti i ka ndryshuar kriteret 30-vjeçare të dialogut me Serbinë duke sjellur si rezultat një marrëveshje e cila i është kthyer ‘boomerang’.
“Kërkesat, kriteret e takimit të Kosovës me Serbinë nuk e kanë origjinën nga 2013-ta, e kanë prej viteve të 90-ta. Parimi i vendit neutral, i ndërmjetësit ndërkombëtar edhe i garancioneve nga ShBA-ja, kanë qenë kritere që Kosova i ka imponu tash e 30 vjet në politikë. Kurti i ka ndryshuar këto kritere të bisedimeve. Por ka ‘pjellë’ një rezultat si marrëveshja e Ohrit që është kthy boomerang”, ka thënë nënkryetari i LDK-së. /Reporteri.net/.