Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale po vazhdojnë ekzaminimet në Banjskë të Zveçanit, ku u zhvillua aksioni policor pas vrasjes së policit kosovar nga një grup i terroristëve serbë. Burimet brenda PSRK-së kanë bërë me dije për Sinjalin se tashmë është gjetur trupi i pajetë i një terroristi të vrarë.
Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se numri i terroristëve të vrarë ka shkuar në 10.
Ndryshe, prokurori special i rastit në veri, Naim Abazi ka thënë se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se kanë armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Sipas PSRK-së, të ndaluarit dyshohen për disa vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar PSRK-ja.