Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se i ka ndarë rrugët me kriminelin serb, Milan Radojiçiq, në vitin 2018.
Teksa u pyet për raportin e tij me Radojiçiqin, Haradinaj tregoi rrjedhën e takimit të tij me nënkryetarin e Listës Serbe.
“Me z.Radojiçiq unë i kam nda rrugët në 2018-ën, takimi i famshëm që shihet në zyre e ka pas këtë përmbajtje, p.sh nuk e kemi elaboru çdo herë. Përmbajtja ka qenë Kosova po i voton ligjet e ushtrisë së vet dhe serbët janë kanë në gjendje me u pajtu me ligjet, vetëm nëse përfshihet ndonjë nen që ushtria e Kosovës nuk shkon në veri, në momentin kur e kanë vërtetu që ligjet do të shkojnë pa asnjë kufizim, pra ushtria e Kosovës në bazë të ligjeve ka obligim me mbrojtë gjithë territorin dhe ju e dini janë nda rrugët. Kjo është e vërteta, çdo fakt nga viti 2018 e tuje, kam provu edhe me i bind që krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk është kundër tyre e serbëve të Kosovës, mund të shërbejnë edhe të rinjt serb, por ata nuk e kanë pranu dhe i kemi nda rrugët”, tha Haradinaj në Pressing të T7.
Në kohën kur Haradinaj si shef i ekzekutivit të vendit dhe Radojiçiq si nënkryetar i Listës Serbe “haparesheshin” në Zyren e Kryeministrit të Kosovës, krimineli serb dyshohej për rastin e vrasjes së politikanit serb të veriut, Oliver Ivanoviq, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në takimin me Haradinajn, në zyrën e tij si kryeministër i vendit, Radojiçiq ishte shoqëruar nga kryetari i partisë Goran Rakiq – ndonëse ishte “sekret publik” se krimineli serb që kërkohej nga shteti i Kosovës në fakt ishte “kryetari real” i Listës Serbe.