Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit, do të hetohet detajisht dhe deri në fund.
Për këtë ministri tha se Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot ka kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën e tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami”.
Sveçla ka publikuar edhe pamje si dëshmi që sipas tij, udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq.
Derisa theksoi se “nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit”.
“Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”, tha Sveçla./teve1.info./