Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se nëse situata aktuale ekonomike vazhdon të jetë e njëjte deri në fund të këtij viti, rritja ekonomike pritet që të jetë deri në 4 për qind.
Ai ka shtuar se çështje e hapura me Serbinë dhe ngritja e tensioneve në veri të Kosovës ndikojnë që investitorët e huaja të hezitojnë që të investojnë në Kosovë.
“Pa dyshim hapësirën më të madhe e kanë zënë ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në veriun e Kosovës. Fatmirësisht që është menaxhuar ai sulm terrorist që ishte është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshëm. Duke ju falënderuar Policisë së Kosovës situata është menaxhuar, fatkeqësisht ne e patëm një humbje jete por siç janë shprehur edhe familjarë e të ndjerit, që të biesh për atdhe është sikur të rilindësh prapë”, tha ai për EO.
Ai tha se megjithatë kjo situatë nuk do të lerë gjurmë të mëdha pasi sipas tij, importi, eksporti, eksporti i shërbimeve janë duke vazhduar e nuk janë ndalur.
Sipas tij, tani për bizneset është sfiduese fuqia punëtore, siguria e energjisë elektrike dhe rreziku i rritjes se çmimit të saj gjatë dimrit.
“Krizë ekonomike, për të marr faktor kryesor ngjarjen e fundit që ka ndodhur në pjesën veriore nuk do të ketë, por janë sfidat tjera që do ti kishim edhe po të mos kishte ndodhur kjo ngjarja e fundit, me përjashtim të çështjes se hapur që e kemi. Për arsye se sfidë për biznesin tani është mungesa e fuqisë punëtore, sfide tani është se jemi duke hyrë në periudhën e dimrit dhe ende nuk e kemi një siguri që do të kemi energji elektrike, në qoftë se do të kemi energji elektrike a do të ketë rritje të çmimit siç e kishim vitin e kaluar. Më pas është çështja e inflacionit, inflacionin nuk po e krijojmë këtu por po e importojmë dhe në qoftë se rritet çmimi i gazit dhe çmimi i energjisë elektrike në Evropë ajo drejtpërdrejtë do të ketë ndikim edhe tekë ne”, tha ai.