I mituri që u arrestua të shtunën në Pejë, nën dyshimet për veprën penale “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka dalë sot para gjyqtari të procedurës paraprake, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi sot se 16-vjeçari që dyshohet se kishte plane për t’i vrarë nxënësit e klasës së tij, po hetohet nga Prokuroria Speciale, e cila ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.
Pas mbajtjes së seancës, ndaj të miturit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Inicialet e të dyshuarit janë B.M. Atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditëve pasi dyshohet për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.”, ka Gashi.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, e ka konfirmuar se po e hetojnë këtë rast, pa dhënë detaje të tjera.