Profesori i mirënjohur amerikane, Edward Joseph, ka marrë pjesë në forumin “2BS” në Mal të Zi ku pjesë e panelit ishte Përfaqësuesi Special i Brukselit për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku ky i fundit me një vështirësi të padëshmuar më parë, artikuloi edhe ngjarjet e fundit në Banjskë të Zveçanit, për çka tha se “shumë gjëra i ka ndryshuar”.
Joseph nga audienca morri mikrofonin dhe iu drejtua Lajçakut rreth “vendosjes së fakteve” në lidhje me sulmin paramilitar në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Profesori e nisi me atë se “a nuk po i dimë ne tashmë disa nga këto ‘fakte’ kur shohim reagimin e Serbisë pas këtyre ngjarjeve?”.
“Ne po i shohim shpalljen e ditëve të zisë, heroizimin e sulmuesve, dhe përshkallëzimin te kufiri”, i tha profesori amerikan, Lajçakut.
Joseph ka pyetur Lajçakun, se pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është distancuar nga sulmi terrorist në veri.
Po ashtu, ka sugjeruar që SHBA-ja dhe BE-ja të bëjnë presion ndaj Beogradit që të zgjedhë përfundimisht Perëndimin, duke i paraqitur Serbisë dhe Kosovës marrëveshjen “merre ose lëre”.