Sot në Gjilan është mbajtur takimi regjional informues rreth projektit “Organizimi i tregut për produktet bujqësore”, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe implementohet nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë.
Në këtë takim kanë marrë pjesë fermerët e zyrtarët nga komuna e Gjilanit, Kamenicës e Vitisë.
Drejtori për Bujqësi në Gjilan, Bajram Isufi, tha se në këtë takim janë njoftuar më hollësisht rreth projektit dhe punës që është bërë që nga hartimi i legjislacionit primar dhe sekondar e deri tek trajnimet e punëtoritë e ndryshme që janë mbajtur e do të mbahen me sektorin publik e privat lidhur me organizimin e tregut për produktet bujqësore, me fokus të veçante tek pemët e perimet.
“Në këtë takim, po ashtu, u njoftuam edhe me përfitimet dhe përparësitë që sjell legjislacioni i hartuar për këtë fushë i cili tashmë është në fazën finale të aprovimit nga institucionet legjislative dhe pritet që brenda këtij viti të hyjnë në fuqi”, ka thënë Isufi.