Gjykata Speciale me seli në Hagë, nuk e ka konfirmuar lirimin e ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, nga burgu në Hagë. Se ai do të lirohet e do të vijë në Kosovë javën e ardhshme, e tha Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës në OVL, shkruan Reporteri.net.
“Nëse, dhe kur të nxirret një vendim publik për këtë çështje, atëherë ai do të jetë i disponueshëm në faqet e internetit të Dhomave të Specializuara”, tha për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi Michael Doyle.
Deri më tani, kjo gjykatë ka dënuar me 26 vjet burgim ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, ndërsa me nga katër vjet e tre muaj i ka dënuar dy anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë gjykuar për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në raste të tjera.
Aktualisht, në zhvillim e sipër është gjykimi i Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i UÇK-së.
Shumë në Kosovë e shikojnë Gjykatën Speciale si të padrejtë, sepse, siç thonë, do të gjykojë vetëm pjesëtarët e një grupi etnik, në këtë rast shqiptarët, ndërsa krimet e supozuara të serbëve do të mbeten të pandëshkuara./Reporteri.net