Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur kundër qëndrimit të dy partive të tjera të mëdha opozitare, PDK-së dhe AAK-së, që vendosën mos t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Abdixhiku ka thënë se nuk i pëlqen që termi “opozitë” t’i përfshijë të gjitha partitë opozitare, pasi tha se LDK ndryshon në disa pika me partitë tjera, shkruan Reporteri.net.
“Termin “opozitë” kategorikisht e kundërshtoj si terminologji politike përveç që është funksion në parlament, por si trup i përbashkët nuk është. Është diskurs shumë i natyrshëm në debatin publik në Kosovë ku opozita portretizohet si një, e nuk jemi një për besë. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Ne jemi parti të ndara, dhe në shumë hapa kemi edhe bindje krejtësisht të ndryshme”, tha ai në ATV.
“Pushtetit i konvenon ta portretizojë opozitën si një.”
Ai tha se mosvotimi i marrëveshjeve veçse i dëmton qytetarët e Kosovës, e nuk kontribuon në rrëzimin e qeverisë.
“Nuk dua të flas për partitë e tjera opozitare, as nuk dua t’i gjykoj në mënyrën se si i marrin vendimet, por dallojmë substancialisht në mënyrën e veprimit opozitar siç është edhe në parlament. LDK mban qëndrim bukur befasues mbi sjelljen e dy partive tjera opozitare për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Është gabim dhe me pasoja të mëdha për qytetarët e vendit.”
“Në qoftë se besojmë se kjo qeveri duhet të përfundojë, unë po ju garantoj se me mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk do të ndërpritet mandati i qeverisë. Ne do t’i dënojmë qytetarët e Kosovës me një sjellje të tillë”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku: “Rruga e Re” flet për të ardhmen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpalosur edhe një herë programin “Rruga e Re”.
Abdixhiku tha se 100 pikat e “Rrugës së Re”, janë program i së ardhmes.
Ai shtoi se qytetarët e Kosovës janë lodhur duke folur për të kaluarën dhe asnjëherë për të ardhmen.
“Rruga e Re’ synon të flet për të ardhmen. Vitet po shkojnë, ne jemi kurthuar në debat të brendshëm se kush ka faj më shumë për 20 vitet e ardhshme. Njerëzit po ikin çdo ditë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku ka folur edhe për takimet që ka pasur me ekspertë të fushave të ndryshme në Kosovë.
“Nga takimet që kam pasur, kemi kuptuar që shoqëria kosovare është polarizuar. Pastaj kemi parë që po rrezikohet demokracia në vendin tonë, njerëzit kanë frikë të flasin lirshëm. Po ashtu, ne nuk kemi debat për politikë publike”, tha Abdixhiku.
Ai tha se plasimi i programit në detaje do të bëhet në muajin nëntor.