Që nga sulmi i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës nga grupi terroristë në Banjskë të Zveçanit, janë mbyllur mbi 20 rrugë ilegale në veri të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Veton Elshani.
“Policia kufitare i ka mbyllë mbi 20 rrugë ilegale, por i ka mbyllë prej rastit të Banjskës deri më sot, pra nuk janë mbyllë sot ato. Disa prej këtyre rrugëve janë mbyllë me eskavator duke qelë gropa, disa me betona- plloqa të betonit”, ka thënë Elshani.
Ndërsa, lidhur me aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës, Elshani tha se bastisjet janë kryer në 13 lokacione në veri.
Kujtojmë se aksioni i sotëm i policisë lidhet me rastin e Banjskës që ndodhi më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.