29 vjeçari, Ardian Sopa nga Llapushniku i komunës së Drenasit ka shtatë vite që ka diplomuar në fushën e administrimit të biznesit. Ndonëse i diplomuar, ai nuk arriti të ketë një vend pune. Kjo pasi ai ka probleme me shikim. Ai thotë se kompanitë në Kosovë nuk dëshirojnë që të punësojnë personat e verbër.
Sopa për Gazetën Insajderi ka treguar se ka humbur të gjitha shpresat për t’u punësuar në Kosovë.
Ai tregoi se gjatë një viti kishte punuar si depoist dhe sektorist në një market, por më pas e larguan pasi shefi nuk dëshironte që ai të punonte aty.
“Në vitin 2017 i kam përfunduar studimet në kolegjin “Pjetër Budi”. Kam apliku për punësim disa herë. Më kanë pranuar në market Sharri në Komoran si depoist në fillim, por filluan të më lenin anash punëtorët. Më pas kam punuar si sektorist në këtë market në Llapushnik. Punëtorët kanë qenë shumë të mirë, por shefi jo. Ai nuk ka dasht që unë me shku me punu aty“, tha ai.
Tutje, Ardian Sopa tregoi se merrte pagë vetëm 170 deri 270 euro.
“170 euro i kam marr për 6 muaj, ndërsa 6 muaj tjerë i kam marr 270 euro. Mas 1 viti ma kanë shkëputu kontratën. Shefi është arsyetuar se nuk e kam dëgjuar. Kjo është rren, punëtorët e kanë ngu shumë mirë”, u shpreh ai.
Problemi kryesor për mos punësimin e tij ishte problemi i shikimit. Sopa tha se e ka shumë të vështirë të punësohet në Kosovë, derisa shtoi se mundësia e vetme është emigrimi në Evropë
“Unë kam problem me shikim qysh nga viti 2009, kur jam operuar herën e parë. Pastaj nga 2012 ka filluar me mu dopsu të pamurit. Nuk kam shpresë këtu, është shumë e rëndë me gjetë punë këtu. Qëto viza nashta po na hiqen edhe po kqyri me shku në Evropë. Nëse është mundësia këtu unë nuk pretendoj mu largu. Unë kam pas shpresa këtu, por nuk ka dal ashtu“, ka thënë 29 vjeçari.