Hoxhë Fadil Musliu ka thënë se lëvizje të tilla si ajo në Deçan, “për braktisjen e fesë islame”, nuk ka pasur as në kohën e komunizmit.
Ai ka thënë se kjo është shkelje flagrante e lirisë së besimtarëve myslimanë teksa ka komentuar edhe idenë që “feja e shqiptarit është shqiptaria”, shkruan Reporteri.net.
“Tendenca dhe qëllimi për me dalë në mënyrë publike dhe me dalë m’i thirrë njerëzit, kjo është shkelje flagrante e lirisë së besimtarëve dhe është shumë tendencioze kjo nismë, që pa keqkuptime që të keqpërdoret ajo harmonia në mesin e popullit shqiptar. Po preken ndjenjat, emocionet e brendshme që janë në zemrat e shpirtat e besimtarëve myslimanë. Shumica po thonë jemi për një fe të shqiptarit që është shqiptaria, po kund në botë nuk ka bre me thanë feja e amerikanëve – amerikiania, ose feja e francëzëve – francezia”, tha ai në T7.
“Po dojnë me ndërru historinë mijëra-vjeçare”, u shpreh ndër të tjera hoxhë Musliu.
“Nuk ka ndodh përpara të ketë kësi lloj thirrjesh edhe prej njerëzve që s’po ju dihet identiteti”, u shpreh ai.
Ndryshe, këtë javë u bë i ditur lajmi se në Deçan është formuar këshilli inicues për formimin e lëvizjes për braktisjen vullnetare të fesë islame.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin personalitete të ndryshme, një ndër ta edhe Sali Cacaj, ish-këshilltari i Ibrahim Rugovës.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan ka shprehur indinjatën në lidhje me formimin e kësaj lëvizjeje.
Sipas tyre, kjo lëvizje nuk ka qëllime të mira dhe se “aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndërfetare”.
“Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, shpreh indinjatën e thellë lidhur me formimim e të të ashtuquajtures “Lëvizje për braktisjen e fesë islame”, meqë siq u pa e ndegju ajo ska qellime tmira per shoqerin tonë, aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndër-fetare, si dhe mos durim fetar dhe njerëzor”. /Reporteri.net/.