Banka Qendrore e Kosovës, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikojnë rritje ekonomike në Kosovë deri në 4 për qind vitin e ardhshëm.
Parashikimi është më pozitiv krahasuar me 3.5 për qind këtë vit dhe po aq vitin e kaluar.
Nga BQK-ja thonë se ai u atribuohet pritjeve për rritje të konsumit dhe investimeve, si dhe për stabilizim të çmimeve.
Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve, në anën tjetër, paralajmërojnë se parashikimi mund të mos dalë i saktë, nëse ka ikje masive të qytetarëve pas liberalizimit të vizave me vendet evropiane, nga 1 janari i vitit 2024.
Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti për marrëdhënie me jashtë i BQK-së thotë se dukuria e emigrimit ka ndikim potencial në tregun e punës dhe, rrjedhimisht, në gjithë aktivitetin ekonomik.
Sipas BQK-së, përkeqësimi i këtij trendi me lëvizjen e lirë të qytetarëve pas janarit të vitit 2024, “do të përkthehej në debalancë të tregut të punës dhe dobësim të performancës së bizneseve dhe dinamikave të përgjithshme makroekonomike në vend”.
Por, thonë në BQK, ritmin e aktivitetit ekonomik mund ta ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si: pasiguritë e vazhdueshme gjeopolitike, kërkesa e jashtme më e dobët apo përkeqësimi i kushteve tregtare.
Në raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, të publikuar më 19 tetor, thuhet se në Kosovë, ndonëse parashikimet për rritje ekonomike mbeten pozitive, rreziqet për ngadalësim janë domethënëse.
Ato ndërlidhen me pasiguritë e vazhdueshme nga lufta në Ukrainë dhe pasojat që mund t’ia shkaktojë ajo aktivitetit ekonomik në Evropë.
Në një deklaratë dhënë REL-it, nga Banka Botërore thonë se, gjatë vitit 2022, tregu i punës në Kosovë është karakterizuar me tkurrje të popullsisë në moshë pune, “me gjasë për shkak të migrimit të vazhdueshëm”.
Por, sipas tyre, Kosova ka potencial të madh të pashfrytëzuar të fuqisë punëtore, marrë parasysh shkallën e lartë të mospjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht në mesin e grave.
“Migrimi mund të ushtrojë presion për paga më të larta, dhe, në të njëjtën kohë, kjo mund t’i nxjerrë më shumë qytetarë nga mospjesëmarrja në tregun e punës”, thonë nga Banka Botërore.
Në Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për t’i komentuar parashikimet për rritje ekonomike dhe rreziqet që mund t’i përcjellin ato./REL