Instituti Meteorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mundësi të vërshimeve gjatë ditës së mërkurë në Kosovë.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, IHMK ka njoftuar regjjet e shiut të filluara në mëngjes, janë me intensitet më të lartë në zonat veri-perëndimore, qendrore dhe veri-lindore.
“Gjatë orëve të paradites (e mekure 08/11/2023), kanë filluar reshje të shiut në tërë vendin, me intensitet më të lartë nëpër disa zona (veri-perëndimore, qendrore dhe veri-lindore) të cilat mund të shkaktojnë disa vërshime të shpejta, sidomos nga rrjedhat lumore me karakter malorë, të cilat mund të shkaktojnë pengesa në qarkullim, sisteme të kanalizimit, probleme në të gjitha aktivitetet bujqësore, probleme me trafikun, rrezik për rrëshqitje dheu etj.”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Instituti nuk ka paraparë përmbytje lumore ose nga lumenjtë kryesorë në Kosovë.
“Nuk parashikohet të ketë përmbytje lumore sidomos nga lumenjtë kryesorë, të cilët aktualisht kanë nivele nënë kuotat e tyre mesatare për këtë periudhë të vitit. Gjatë orëve të pasdites së sotme gradualisht reshjet do të bien në intensitet dhe shtrirje dhe situata e përgjithshme hidrometeorologjike do të filloj gradualisht të stabilizohet”, ka njoftuar Instituti.