Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
“Duhet të jetë në përputhje me kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovernier.
Në një konferencë para gazetarëve Hovenier tha se megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“E gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”, tha ndër të tjera ambasadori amerikan.
I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.