Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në lidhje me faljen e tatimit në pronë për tatimpaguesit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka njoftuar Komunat e Kosovës për përmbajtjen e aktgjykimit, si dhe për afatin e përcaktuar nga Gjykata për zbatimin e dispozitës ligjore për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën prej 100 eurosh.
Si rrjedhojë, komunat janë njoftuar se deri më datën 08.12.2023 mund të vendosin rreth faljes së tatimit në pronë, e cila mund të lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për 2023, por jo më shumë se njëqind euro.
Tatimpaguesit e komunës e cila e merr këtë vendim, do të përfitojnë nga falja deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për 2023, por jo më shumë se njëqind euro, ndërsa ata të cilët e kanë paguar tatimin në pronë për 2023 shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.
Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë në dispozicionin e komunave për sqarime shtesë lidhur me këtë çështje, thuhet në njoftim.