Policia e Kosovës ka kërkuar zgjatjen edhe për 15 ditë të afatit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, raporton teve1.info
Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për teve1.info se janë në pritje të përgjigjes.
Sipas Elshanit, kërkesa është bërë me arsyetimin se mund të dalin probleme teknike apo nevoja për përmirësime të ndryshme, mirëpo ka shtuar se vendimi për shtyrje të afatit apo periudhës se sa do të shtyhet, varet nga Qeveria.
“Duke parë situatën si është këtu, interesimin e madh të qytetarëve, kontrollave teknike që po na dalin, por edhe mundësisë për gabime teknike dhe përmirësime, ne si polici e kemi bërë një kërkesë te Ministria e Punëve të Brendshme, që të vazhdohet edhe për 15 ditë”, tha ai.
Afati për regjistrimin e veturave me targa RKS i vendosur nga Qeveria e Kosovës përfundon të enjten më 30 nëntor.