Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se punimet në Autostradën e Gjilanit janë duke u kryer intensivisht, mirëpo shtoi se në këtë projekt kanë dalë punë shtesë pasi ka rrëshqitje të dheut.
Kurti nga Gjilani i pyetur për këtë projekt, tha se ëhstë i vonuar qe 7 vite.
Megjithatë, Kurti tha se për shkak të paraqitjes së problemeve në këtë rrugë, duhet të bëhen shpronësime shtesë, tenderimi i të cilave do të shpallet vitin e ardhshëm.
“Janë paraqitur disa probleme si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe kemi nevojë ta bëjmë formatimin e kontratës që t’i përfshijmë edhe disa shpronësime të reja për t’i sanuar problemet që janë shfaqur. Vitin tjetër do të fillojnë procedurat e tenderimit”, tha Kurti.
Ai këto komente i bëri në Gjilan ku së bashku me kryetarin e kësaj Komune, Alban Hyseni, i shpalosën disa projekte të përfunduara dhe tri të reja të cilat tha se janë buxhetuar për vitin e ardhshëm.
Kurti tha se javën e ardhshme do të fillojnë procedurat e tenderimit për stadiumin e qytetit që pritet të kushtojë 15 milionë euro, derisa janë ndarë mjete edhe për projektin e unazës së qytetit prej 26 milionë eurove dhe Bulevardin prej 12 milionë eurove.
“Tani mund të ju prezantoj tri projekte gjigante që janë tejet të rëndësishme për Gjilanin si kryeqytet i Anamoravës. Stadiumi i qytetit i cili kap koston prej 15 milionë eurove, veç se do të fillojnë procedurat e tenderimit javën e ardhshme. Unaza rrugore qytetit në vlerë prej 26 milionë euro që është buxhetuar për vitin e ardhshëm 2024 si dhe projekti Bulevardi me 20 mijë metra katrorë hapësirë publike me infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor që kap koston prej 12 milionë euro e që është buxhetuar për vitin e ardhshëm”, tha Kurti.
Ai më pas së bashku me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, i vizituan edhe dy projekte të përfunduara në këtë qytet, parku Banja për të cilin u tha se është një prej parqeve më të mëdha në qytetin e Gjilanit me 17 mijë metra katror si dhe rrugën “Hamdi Kurteshi” e cila do të rindërtohet dhe zgjerohet në 4 korsi.