Policia e Kosovës së bashku me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës kanë kontrolluar dhe konfiskuar sasi të llojeve të ndryshme të cigareve dhe duhanit në një lokal dhe një shtëpi në Gjilan, me dyshimin e tregtisë së paligjshme dhe ikjes nga tatimi, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së Policisë, autoritete policore, doganore dhe të ATK-së kanë kryer kontroll me urdhër të gjykatës, nën dyshimin për tregti të ndaluar dhe shmangie nga tatimi.
“Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, në asistim të Njësitit Anti-kontrabandë nga Dogana e Kosovës e ATK me qëllim të luftimit të Ekonomisë jo formale, sot me datë 05.12.2023 kanë ekzekutuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan për bastisje/kontroll në një shtëpi dhe një lokal/biznes në tregun e gjelbër në Gjilan për shkak të dyshimit se aty është duke u kryer vepra penale “Tregti e Ndaluar ””, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë operacionit të bastisjes/kontrollit në shtëpinë dhe lokalin/biznesin e lartcekur janë gjetur dhe sekuestruar nga autoritetet doganore provat si në vijim:
• Filtër për cigare ,,Grand “ 8 pako X 50 copë X 200 letra për cigare,
• Fleta për mbështjelljen e cigareve 110 komplete.
• Duhan i grirë i përpunuar 104 X, 0,500 g.
• Cigare VIP, 77 paketime x 20 cigare.
• Cigare Malboro, 62 pako X 20 cigare.
• Cigare NINE 29 pakoX 20 cigare etj.
Lidhur me rastin janë iniciuar në procedurë të rregullt rastet për “Tregti e Ndaluar” dhe “Shmangie nga Tatimi”, përderisa te gjitha veprimet tjera janë ndërmarr në koordinim me autoritetet kompetente të drejtësisë.