Radoiciq prej kohësh zë vend në listat e zeza të SHBA-së e Britanisë, por tani edhe INTERPOL-i ka lëshuar fletarrest për të. Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se tani është në dorën e Serbisë nëse dëshiron ta arrestoi ose jo, por sipas tyre, ky fletarrest do të ndikojë edhe në sigurinë e tërë rajonit.
Me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL ka lëshuar fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Vet Radoiçiq ka pranuar se ka qenë në krye të grupit terrorist, që më 24 shtator sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se tani është në dorë të Serbisë nëse dëshiron ta arrestoi Radoiçiqin.
Për mosreagimin e Serbisë në këtë çështje, mbrëmë në tëvë1 ka folur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
“Ia kemi bërë të qartë Serbisë që sulmuesit, sidomos kryesori që pranoi përgjegjësinë të jap llogari. Ai është i lirë. Po akoma i lirë, por ne kemi kërkuar nga autoritetet në Beograd që të gjykohet për këtë. Nuk ka ndodhur akoma, por nuk heqim dorë”, ka thënë ambasadori.
Profesori i sigurisë kombëtare, Alban Maliqi, thotë se ky urdhër arrest i INTERPOL-it do të ndikoi edhe në sigurinë e tërë rajonit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në vazhdimësi ka deklaruar se nuk do ta ekstradoi Radoiciqin para organeve të drejtësisë në Kosovë.