Njësiti special intervenues dhe njësitet e tjera elitare të Policisë së Kosovës, sot kanë paralajmëruar protestë para objektit të qeverisë së vendit.
Protestës së FIT-it do të i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur, kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.
“Po, do të jemi nga ora 12:00. Nesër e merrni vesh kërkesat tona”, ka deklaruar ai duke mos dashur që të jap detaje më tepër.
Pjesëtarët e NJSI-së kanë protestuar më 1 nëntor për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.
Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.
Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.