Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shprehur shqetësim me rezultatet e fundit të Kosovës në testin PISA.
Kurti thotë se ky test tregon se “diçka nuk po shkon mirë”, raporton teve1.info
“Natyrisht që jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë, të cilat treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë dhe nuk do të mund të rregullohen as për njëherë e as shpejt. Testi PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme, diçka nuk po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e të mësimnxënies. Ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dijnë”, deklaroi ai në mbledhjen e Qeverisë.
Në bazë të rezultateve të publikuara nga testi PISA gjatë javës së kaluar, Kosova renditet pothuajse në fund në të gjitha kategoritë.
Nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, Kosova ka zënë vendin e 76-të, derisa për shkencë vendin e 77-të.
Gjithashtu edhe në matematikë, Kosova është renditur në vendin e gjashtë nga fundi.