Zëvendësministri i Financave, Agon Dobra thotë se Qeveria nuk ka bërë dallime nëpër komuna gjatë ndarjes buxhetore, ku sipas tij asnjëherë nuk kanë tentuar t’i dëmtojnë komunat e udhëhequra nga kryetarët e subjekteve tjera.
Po ashtu, ai tha se për 2024 nuk janë vetëm 22 milion euro të cilat janë ndarë aktualisht, porse janë 860 milion euro për vitin 2024.
Dobra duke e komentuar miratimin e buxhetit për 2024, tha se ky është buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë që është prej 3.3 miliard euro dhe është një buxhet gjithëpërfshirës që i prek të gjitha ato fusha apo kërkesa që i plotësojnë nevojat e qytetarëve të vendit.
Ndërkaq, rreth kritikave të opozitës rreth ndarjes buxhetore për komunat e vendit apo në ato që udhëhiqen nga partia në pushtet ka ndarë mjete më shumë se në komunat tjera, ai tha se ato që janë parë në këtë ndarje janë investime kapitale për 2024 dhe bëhet fjalë për 22 milion euro.
“Ndërsa në buxhet për vitin 2024, investimet për investimet e reja kapitale janë 860 milion euro, ndërsa për vitin 2023 kanë qene 811 milion euro. Nuk ka asnjë diskrepancë nëpër komuna, të gjitha komunat i kanë investimet e veta kapitale sipas prioriteteve”, tha Dobra, duke shtuar asnjëherë nuk kanë tentuar t’i dëmtojnë komunat e udhëhequra nga kryetarët e subjekteve tjera.