Prokuroria Themelore ka folur lidhur me vrasjen që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Dobërçan të Gjilanit.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe se motivi i vrasjes ende nuk dihet.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar të dyshuarin D.T., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, motivi i së cilës ende nuk dihet.
Dyshohet se më 16 Dhjetor 2023, rreth orës 21:00, në fshatin Dobërçan, komuna Gjilan, i dyshuari D.T., e ka privuar nga jeta viktimën A.B., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.
Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, i dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh.
Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarit do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata kompetente në Gjilan.