Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, beson se menjëherë pasi të kalojë viti 2023, vendi do të shkojë në zgjedhje.
Krasniqi ka theksuar se Kosova e ka humbur njohjen reciproke.
“Pas vitit të ri menjëherë do të ketë zgjedhje. Sa më shpejt që vendi të shkojë në zgjedhje është më mirë sepse qytetarët po varfërohen. Ka ngritje të çmimeve, nuk ka heqje të TVSH-së as heqje të akcizës”, u shpreh ajo.
Ajo potencon se ftesës së presidentes Vjosa Osmani, LDK i është përgjigjur pozitivisht për shkak se siç thotë Krasniqi bëhej fjalë për temën e Asociacionit e cila është në interes të qytetarëve.
Megjithatë, ajo thotë se në draft-statutin e Asociacionit, i cili tashmë është publikuar, ka diçka që shkon përtej tij.
“Është një autonomi më e madhe”, thotë ajo.
“LDK-ja gjithmonë ka qenë konstruktive për çështje të mëdha, edhe në këtë rast kemi marrë pjesë në takim me presidenten duke e ditur rëndësinë tejet madhore që është dialogu dhe Asociacioni. Në lidhje me draftin që e kemi parë të gjithë, si LDK jemi të shqetësuar sepse aty ka diçka përtej Asociacionit, është një autonomi më e madhe. Si LDK e përkrahim çdo herë një Asociacion që është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. E di që e kanë parë shumica e deputetëve atë dokument, por mbetet shqetësuese se si kryeministri nuk është në gjendje të tregojë se çfarë ka bërë në atë marrëveshje. Ka të bëjë diçka përtej Asociacionit në atë dokument. I thith kompetencat e nivelit qendror. Kurti nuk është në gjendje të dalë të prezantoje diçka që ka dhënë përtej Zajednicës. Ajo është tepër shqetësuese. Përveç që ka autonominë më të madhe, ne si Republikë nuk përfitojmë asgjë. Po presim që të dërgohet në Kushtetuese së pari. Do të duhej të dërgohet sepse është dokument tejet i rëndësishëm”, tha ajo në RTV Dukagjini.
Deputetja e LDK-së, theksoi se procesi i dialogut me Serbinë është kthim mbrapa.
“Kosova ka humbur njohjen reciproke… tani është harruar njohja reciproke.
Ne jemi ende në bisedime dhe sanksionet nuk janë larguar, gjendja nuk është ndryshuar në dialog. Dialogu është kthim mbrapa, na ka kthyer mbrapa për 10 vite. Gjendja në veri ka ardhur nga kokëfortësia e Kurtit i cili fillimisht nuk është dakorduar me aleatët ndërkombëtarë”, shtoi Krasniqi.