Nën organizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Gjilanit, është mbajtur sot një dëgjim publik me banorët e Malësisë së Zhegocit sa i përket procedurave për shpronësim të tokave në pjesën ku do të ndërtohet autostrada Gjilan-Prishtinë. Sami Ahmeti, i cili ka folur në emër të kësaj pjese, ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe institucionet tjera që të trajtohen me dinjitet sa i përker kompensimit të pronave. Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka siguruar banorët e Malësisë së Zhegocit se shpronësimi do të bëhet në formën që ata të jetë të kënaqur. “Por, kërkoj bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj që të lejoni të fillojnë punimet. Ju sigurojmë se prona është e shenjtë dhe të gjithë do të jeni të kënaqur me formën e kompensimit”, tha Ismajli. Qemajl Jonuzi, menaxher i Njësisë për Implementimin e Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, ka njoftuar banorët që punimet do të fillojnë më 21 maj, duke kërkuar nga ata që të interesohen nëse pronat nuk i kanë në emër të tyre dhe për këtë këtë ta njoftojnë Ministrinë e Infrastrukrurës sa më parë. “Duhet ta keni të qartë se nuk duhet të ketë probleme pronësore sepse mjetet shkojnë për pronarët që janë me dokumentacion. Prandaj, është e natyrës urgjente që të siguroheni në mënyrë që të mos ketë probleme të kësaj natyre”, tha ai. Debati po vazhdon me interesimet e vazhdueshme të banorëve të Malësisë së Zhegocit për detajet e kompensimit.
Zyra për Informim