Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka organizuar konferencën vjetore “Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Instrumentet Mbështetëse për Bizneset”.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se ekonomia e vendit është më e fortë se asnjëherë më parë.
I pari i ekzekutivit tha se janë të përkushtuar në krijimin e një mjedisi të të bërit biznes, që do ta bëjë Kosovën destinacion më tërheqës.
“Vizioni ynë i politikës industriale është ai i një industrie më të integruar globalisht. Me politikat tona zhvillimore po e rrisim ekonominë e vendit dhe po mbështesim qytetarët, bizneset dhe ndërmarrësit. Qeveria ka mbështetur Fondin Kosovar për garanci kreditore ku kanë përfituar bizneset”, deklaroi Kurti.
Në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, ai tha se kanë mbështetur 218 biznese brenda këtë viti.
“Nivelin e punësimit e rritëm përmes subvencionimit të bizneseve. Ndërkaq, me ndihmën e mërgatës tonë kemi bërë ndërlidhjen e tregut të punës me arsimin profesional. Lidhja midis tregut të punës dhe arsimit profesional është jetik për shoqërinë. Ndërsa, rritjen ekonomike e kemi shpërndarë te qytetarët”, tha kryeministri Kurti, raporton RTK.
Shefi i qeverisë shtoi se do të ndihmojnë në zhvillimin, rritjen dhe fitimin e sektorit privat.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se përkundër sfidave, ka pasur progres në klimën e të bërit biznes.
“Ky vit përtej sfidave është përcjell me rezultate të cilat kanë pasur ndikim në ambientin e të bërit biznes, mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe përkrahjen e investimeve. Raporti i Progresit vë në pah progresin e arritur nga puna e Ministrisë së Industrisë sepse me prioritet i sollëm reformat e kërkuara nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Te të gjithë kapitujt shihet një punë e madhe e ministrisë sonë pasi japim një kontribut të madh të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha Hajdari.
Për të lehtësuar tregtinë dhe për të rritur shkëmbimet tregtare me shtetet tjera, ajo tha se gjatë këtij viti kanë negociuar edhe për marrëveshjen e tregut të lirë.
“Është mirë të përmendim që së fundmi kemi edhe një plan të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Objektiv kryesor është që të na mundësohet që të rrisim reformat dhe investimet për të përshpejtuar ndjeshëm procesin e rritjes”, shtoi Hajdari.