Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi sot Qendrën Klinike Universitare Stomatologjike, ku pa nga afër fillimin e shërbimit për përdorimin e sedacionit inhalator në praktikën stomatologjike të shërbimit stomatologjik pediatrik, shërbim ky që funksionalizohet për herë të parë në vendin tonë dhe njëherësh i vetmi në rajon në sistemin publik të shërbimeve dentare.
Vitia theksoi se në fokus të politikave shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë janë shërbimet e stomatologjsë për fëmijët, me theks të veçantë programet edukative, preventive dhe ato terapeutike.
“Ndihem i lumtur që sot jam në mesin tuaj me rastin e fillimit të këtij shërbimi kaq të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët të cilët nga ankthi, frika dhe nga procedurat të tjera stomatologjike u pamundësohet qasja në shërbime stomatologjike dhe si pasojë e dhëmbëve të prishur u cenohet rritja dhe zhvillimi i tyre”, tha ai.
Vitia tha se në bazë të raporteve nga shërbimet primare, gjendja e shëndetit oral te fëmijët është e pakënaqshme dhe nga kjo, në bashkëpunim me Odën e Stomatologëve të Kosovës do të hartohet Strategjia Nacionale për Shërbimet Stomatologjike, e cila do të ketë në fokus edukimin mbi shëndetin oral, shërbimet preventive dhe konservative ndaj fëmijëve në moshën e re.
Sedacioni inhalator për pacientin nuk shkakton analgjezion të plotë, por ka për qëllim reduktimin e frikës dhe ankthit gjatë trajtimit, rritjen e pragut të ngacmueshmërisë së dhimbjes, minimizimin e lëvizjeve të padëshirueshme dhe reagimet ndaj trajtimit stomatologjik, si dhe përmirësimin e komunikimit dhe kooperimit të pacientit.