Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), e ka uruar ipeshkëv Dodë Gjergji në rastin e festës së krishtlindjeve.
Në urim përmendet edhe toleranca fetare në mes të popullit shqiptar.
”Me nderim e respekt të posaçëm, në këtë ditë të shënuar për besimtarët e krishterë, më lejoni që t’ju drejtohem me mesazh urimi e përgëzimi Juve, meshtarëve tuaj, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Festa e Kërshëndellës është moment i veçantë për besimtarët e krishterë, sepse në zanafillën e saj ka lindjen, shpresën e mbarësinë”.
“Festat fetare te ne, ashtu si edhe besimet tona, te populli ynë gjithherë kanë qenë momente të reflektimit, që kanë përçuar unitet, dashuri, mirëkuptim e harmoni, vlera këto të shtresuara thellë në identitetin tonë. Zotni Ipeshkëv, përmes jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë. Duke ju përshëndetur, ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi”, thuhet në njoftim.