Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, para qytetarëve ka prezantuar projektet të cilat janë punuar në vitin 2023 shkruan Radio Star.
Rahimaj ka thënë se viti 2023 e gjeti Komunën e Kamenicës me projekte të cilat prekin investime milionëshe.
Shkrimi i plotë:
Fundi i vitit 2023 e gjeti Komunën e Kamenicës me projekte të cilat prekin investime milionëshe.
Projekte në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, ekonomi, bujqësi, kulturë, rini dhe sport, u prezantuan në diskutimin publik për vitin 2023 të mbajtur nga Kryetari Kadri Rahimaj.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin Drejtorë të Drejtorive Komunale, mysafirë si Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, deputetja Arta Bajralia, si dhe qytetarë e përfaqësues të OJQ-ve dhe medieve.
I pari i komunës duke falënderuar të pranishmit për prezencën e tyre, hapi këtë diskutim duke e nisur me llogaridhëniet për premtimet e dhëna.
“Çka kemi bo për 2 vite? E kemi quajtur këtë diskutim kështu për të prezantuar të gjitha punët tona të cilat i kemi realizuar përgjatë dy viteve që kur morëm mandatin. Premtimet e dhëna për rregullimin e mirëqenies së qytetarëve tanë kanë arritur duke realizuar projekte në shëndetësi, infrastrukturë, kulturë, rini dhe sport, arsim, ekonomi, bujqësi. Me këto investime e kemi dëshmuar që çdo projekt i realizuar ka vetëm një qëllim, qytetarin dhe vetëm qytetarin, ku mbi këtë parim kemi marr mandatin”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Kryetari Rahimaj e vazhdoi diskutimin e tij duke prezantuar në detaje investimet e bëra në fushat e cekura.
“Në Shëndetësi kemi arritur të sigurojmë mamografin dhe rentgenin, janë dhënë ndihma momentale, është bërë renovimi i AMF-ve në Topanicë dhe Busavatë.
Në Infrastrukturë kemi ndërtuar trotuare, asfaltim të 20 rrugëve lokale, ridizajnim të qendrës së qytetit, rrugë në bashkëpunim me Ministrinë, ndërtim dhe kyçje në rrjetin e ujësjellësit, parking i gjelbër, dy puse të reja për shtimin e kapaciteteve për ujë të pijes, kanalizim i ujërave të zeza, rregullim të shtratit të lumit në Hogosht.
Në Kulturë, Rini dhe Sport kemi nënshkruar projektin për ndërtimin e stadiumit të atletikës, stadium sintetik i ‘KF. KIKA’, stadium kryesor i Hogoshtit, renovimi i tri aseteve të Trashëgimisë Kulturore, subvencionimi i klubeve sportive dhe OJQ-ve.
Në Arsim kemi nënshkruar projektin për ndërtimin e shkollës “Fan Noli”, rinovimi i dy shkollave të mesme, çerdhe e re, palestra e sporteve, rinovim i shkollës “Skëndërbeu”, rinovim i çerdhes ‘Filizat’, smart TV në secilën klasë, invetime në kabinete, bursat me vlerën më të madhe ndonjëherë.
Në Ekonomi kemi nënshkruar marrëveshjen për projektin më të madh turistik “Lugu i Verdhë”, Zip line, parku teknologjik, parku i aventurave, grante për bizneset, praktikë me pagesë për të rinjtë, shenjëzim i shtigjeve malore.
Në bujqësi është bërë inventarizimi i tokave, penda për sistemin e ujitjes, subvencionim i farës së grurit, subvencionim i qumshtit, mekanizëm bujqësor bazuar në kërkesë”, është shprehur Kryetari Rahimaj.
Ndër të tjera Kryetari Rahimaj në këtë diskutim ka thënë se si qeverisje për të lehtësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve kanë bërë edhe punë të tjera siç janë:
– Barna falas për pensionistët;
– Rekrutimi i pediatrit, gjinekologut, radiologut, urologut;
– Sigurimi i donacionit të ultrazërit 4D;
– Organizimi i festivalit Kamenica Summer Fest;
– Funksionalizimi i KVRL-së;
– Funksionalizimi i teatrit dhe shfaqjeve filmike;
– Vendi i tretë në Kosovë për transparencë komunale;
– Funksionalizimi i Këshillave Lokale;
– Linjë e gjelbër për diasporë;
– Digjitalizimi i sistemit arsimor;
– Ushqim i shëndetshëm në çerdhe;
– Vizita sistematike të nxënësve;
– Themelimi i Qendrës së Karrierës;
– Lodra të reja në çerdhe;
– Rritje e buxhtit në të gjitha fushat;
– Rinovimi i ndërtesave shumë-banesore;
– Letra e bardhë për investime;
– Rregullore e re për taksa;
– Themelimi i ndërmarrjes publike ‘Dardana’.
Pas prezantimit të punëve të bëra, i pari i komunës hapi debatin për pyetje dhe diskutim nga të pranishmit.
Ndërsa ky diskutim u përmbyll me premtimin se vitet në vazhdim e presin Kamenicen me investime edhe më të mëdha.