SBASHK ka kritikuar Qeverinë për qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe ikje nga dialogu, në konferencën e fundvitit.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj duke prezantuar raportin e punës ka deklaruar se në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe sipas tij i kanë ikur dialogut.
Sipas Jasharajt, për një gjë të tillë Qeveria edhe është kritikuar përmes shkresave edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë dhe Internacionales Botërore të Arsimit (EI), që numëron 32 milionë anëtarë.
Jasharaj ka thënë se ekzekutivi ka pasur tendencë për shuarjen e tyre.
“Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK. Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
Ndërkaq Këshilli Drejtues ka shpallur koordinatorin për organizim të brendshëm, Ymer Ymerin si sindikalist të vitit, ndërkaq kryetarin Rrahman Jasharaj si sindikalist të vitit në nivel vendi.