Qëndresë Cuci, studente e studimeve master ne programin E-qeverisje në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është shpërblyer me vendin e parë në konkursin e Bankës Qendrore të Kosovës, “Ekonomisti i Ri”.
Çmimi ka për qëllim nxitjen e aktivitetit hulumtues dhe Qëndresa është shquar me punën e saj shkencore në fushën e ekonomisë.
Çmimi “Ekonomisti i Ri” është një iniciativë për të promovuar dhe nxitur hulumtimin në ekonomi, duke vlerësuar kontributet më të dalluara në këtë fushë. Qëndresa Cuci ka shkëlqyer me punën e saj të thelluar mbi temat e avancuara ekonomike, duke lënë një ndikim të madh në komunitetin akademik.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka shprehur kënaqësinë dhe krenarinë për suksesin e studentes Qëndresa Cuci. Ai theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj hulumtimit dhe zhvillimit të dijes në fushën e ekonomisë. Rektori inkurajoi të gjithë studentët të ndjekin shembullin e Qëndresës dhe të angazhohen në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.
Qendresa është paraqitur në konkursin e BQK-së me temën: Ndikimi i teknologjisë dhe digjitalizimit në transformimin e ekonomisë, me theks në ndikimin e sistemit të pagesave në Kosovë . Ajo thotë se kjo temë është shumë mirë e ndërlidhur me nivelin e studimeve master të programit E-Qeverisje, ku edhe është duke i ndjekur studimet.